Një pjesë e punëtorëve të RTV "Presheva" padi ndaj Ministrisë së Ekonomisë
Disa punëtorë të RTV "Presheva" kanë paditur Ministrinë e Ekonomisë së Serbisë për shpërndarjen e aksioneve të këtij medium në shkurt të këtij viti.14 punëtorë kanë iniciuar procesin e padisë pranë Gjykatës Administrative në Nish të cilët kanë vlerësuar se vendimi i Ministrisë së Ekonomisë nuk është korrekt, shkruan Titulli.com.
“Shumica nuk kanë qenë të kënaqur me vendimin dhe kemi vendosë për padinë. Komuna para një viti ka sjellë vendimin si themeluese që të gjithë punëtorëve t’i shpërndahen aksione pa pagesë dhe ne thirremi në atë vendim për padinë që kemi fillua”, ka thënë për Shoqatën e Gazetarëve të Serbisë, Reshat Neziri drejtor i RTV “Presheva” I cili është një nga të pakënaqurit.
Sipas 10 punëtorëve që nuk iu janë bashkangjitur kolegëve të tyre për procedimin e padisë lidhur me aksionet pa pagesë, vendimi është në përputhje me ligjet në fuqi, transmeton Titulli.com.
“Gjithë procesi për shpërndarjen e aksioneve pa pagesë të RTV “Presheva” ka kaluar në bazë të ligjit dhe thirrjes publike deri në dorëzimin e aksioneve”, kanë thënë punëtorët që nuk i janë bashkangjitur shumicës së kolegëve për të ngritur kontest administrativ.
Duhet rikujtuar se sipas vendimit të Ministrisë së Ekonomisë më 18 shkurt aksionet e plota u janë ndarë Ardita Saqipit, gazetare në RTV “Presheva”./Titulli.com/